Sezoni i ri në Superligën ruse nuk ka qenë ai i duhuri për Mario Mitaj. Në vorbullën e thashethemeve të merkatos, mbrojtësi ka marrë shumë pak minuta te Lokomotiva e Moskës. Vetëm 28 minuta në ndeshjen e Kupës përballë Rostov, teksa në duelin e kampionatit kundër Akhmat Grozny ai u hodh nga stoli në të 80-ën.

Kohë e cila gjithsesi u shfrytëzua në maksimum nga Mitaj, që pasi dribloi disa prej kundërshtarëve arriti të asistonte për shokun e skuadrës. Një ekzekutim perfekt nga ana e 21-vjeçarit që jep kështu pasimin e parë për gol në këtë sezon për Lokomotivën e Moskës.

Mitaj kontribuoi me asist tek goli që garantoi fitoren 5-0 të kryeqytetasve, të cilët regjistruan edhe triumfin e dytë në tre javët e para të Superligës ruse.

Mitaj gjendet prej kohësh në qendër të merkatos, ku ka një interes nga klubet italiane por edhe në Francë.

Klan News