Tashmë nuk ka asnjë dyshim, pasardhësit e Miloshevicit do të drejtojnë Serbinë. Sipas të përditshmes serbe BLIC, një ditë para seancës së parë parlamentare që prej zgjedhjeve të 11 majit, shanset për formimin e koalicionit qeverisës në Serbi janë të mëdha. BLIC shkruan se Partia Demokratike e Boris Tadic, do të nënshkruajë marrëveshjen e bashkëpunimit të martën me socialistët e ish-presidentit Sllobodan Milloshevic.

Duke cituar burime anonime, sipas gazetës së përditshme serbe pika më thelbësore e marrëveshjes për krijimin e qeverisë së ardhshme është zgjedhja e kryeministrit dhe gjasat janë që në këtë post të emërohet lideri i socialistëve Ivica Dacic, pasuesi i Sllobos.

Por zëra pranë aleatëve të partisë socialiste mohojnë që Dacic të ketë kërkuar si kusht për koalicionin emërimin e tij si kryeministër. Nëse Tadic arrin marrëveshjen me socialistët, atëherë koalicioni i tij siguron shumicën në kuvend, duke lënë jashtë çdo mundësie që radikalët dhe nacionalistët të krijojnë një qeveri./tvklan.al