Demokratët dërgojnë dy padi në Gjykatën Kushtetuese: Të shfuqizohet marrëveshja

Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë ka ndarë përsëri Partinë Demokratike. PD e drejtuar nga Sali Berisha dhe ajo e drejtuar nga Lulzim Basha i janë drejtuar me padi të veçanta Gjykatës Kushtetuese, duke kontestuar marrëveshjen. Të dyja palët e demokratëve theksojnë se marrëveshja shkel Kushtetutën vendit dhe se për të qeveria nuk ka bërë asnjë transparencë.

Të parët që iu drejtuan “Kushtetueses” më 6 dhjetor ishte PD e Bashës, me një shkresë që mban datën 1 dhjetor dhe firmën e kryetarit të tyre. Kreshnik Çollaku theksoi se kryeministri Edi Rama shmang qëllimisht debatin për marrëveshjen e emigrantëve.

“Ka munguar në mënyrë të plotë transparenca dhe ballafaqimi apo sqarimi nga ana e kryeministrit të një marrëveshje të tillë në raport me atë që çfarë reflektonte shqetësimi i publikut.”

Padia e PD së Berishës u dorëzua në Gjykatën Kushtetuese nga deputetja Lindita Metaliaj, e cila theksi se marrëveshja me Italinë duhet shfuqizuar.

“Kemi kërkuar edhe pezullimin e procedurave për ratifikimin e protokollit ndërmjet qeverisë së Republikës së Italisë dhe Këshilit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Ne do të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke shpresuar që të japë sa më shpejtë në lidhje me kushtetueshmërinë dhe a pajtohet ky protokoll me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”

Ashtu siç dhe e kërkon rregullorja, PD e Berishës mblodhi 28 firma të deputetëve demokratë për të depozituar padinë në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë, ndryshe nga rivalët e tyre brenda partisë, për padinë e dytë mjafton vetëm firma e Lulzim Bashës për shkak se ky i fundit mban ende vulën zyrtare të PD.

Klan News