Ka hedhur poshtë çdo akuzë dhe pretendim të prokurorit, se ka kërkuar para në këmbim të operacioneve, kirurgu Kastriot Dautaj me pranga në duar dhe në një gjendje të rëndë psikologjike ka marrë kurajën të ngre krye para gjykatës, duke deklaruar se është i pafajshëm dhe se prokuroria i ka ngritur një kurth duke i prishur imazhin e mirë, që ka në fushën e mjekësisë.

Me të njëjtën gjuhë mbrojtjeje ka folur avokati i tij Fatmir Braka, sipas tij policia ka shpërndarë në media informacione mbi Dautajn, duke e paragjykuar çështjen. Gjithsesi gjykata nuk është mjaftuar me alibinë e ngritur nga mjeku kirurg. Prokurori Artan Rreshka ka paraqitur prova që implikojnë këtë mjek në 7 raste të marrjeve të parave nga familjarë të pacientëve të tij. Indicet kryesore për prokurorët janë dhe faturat mbi transferua parash të sekuestruara në banesën e mjekut.

Seanca për vlerësimin e masës së arrestit për kirurgun dhe Ibrahim Hoxhën babain e pacientes janë zhvilluar të ndara për të shmangur dhe imponimin nga palët e përfshira në akuzën e korrupsionit aktiv dhe pasiv. Gjykata vendosi të lërë të lirë babin e pacientes, duke dhënë masën e detyrimit me paraqitje në gjykatë.

Arrestimi i Dauajt ditën e hënë në ambientet e Spitalit “Nënë Tereza” erdhi pas një survejimi disa mujor që agjentët task-forcë kishin siguruar ndaj tij, një shumë parash që babai i pacientes i kishte futur në xhep vetëm pak minuta pas operacionit.

Akuza që prokurori i ka komunikuar kirurgut është ajo e korrupsionit dhe e shpërdorimit të detyrës. Prokurorë të krimit ekonomik kanë deklaruar se ndaj kirurgut do të hapin dhe çështjen e mbyllur në vitin 2006, kur ky mjek i ka hequr pa dijeninë e saj veshkën një pacienteje./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani

Operator: Klodian Keçi