Kryeministri Italian Masimo Dalema ka mbërritur në Portin Detar të Durrësit me anijen ushtarake “San Gusto” ku u prit nga Kryeministri Shqiptar Pandeli Majko. Kryeministri italian fill pas zbritjes në port është drejtuar në Qendrën e Grupit të 28 Detar Italian që ndodhet në Kalaten Zero të këtij Porti. Pasi ka uruar Pashkët është interesuar për këtë Mision dhe detyrat e tij.

Të dy Kryeministrat kanë ndaluar në kampin e parë që po ngrihet në qytetin e Durrësit nga specialistët e mbrojtjes civile italiane në zonën e Rrashbullit. Në këtë kamp do të vendosen mbi pesë mijë të ardhur nga Kosova ndërkohë që janë vendosur 250 çadra pr 1200 persona. Kryeministri Dalema duke folur për spastrimin etnik që po realizojnë serbët tha se duhet ta ndihmojmë patjetër këtë popull që po përjeton situata dhe skena nga më të tmerrshmet.

Këtë gjendje shtoi ai, duhet t’a përballojmë së bashku. Duke ju drejtuar Kryeministrit Majko, Dalema tha: “Ju jeni Kryeministri i Ri i Demokracisë së Re në Shqipëri. Për Italinë është shumë e rëndësishme që të ndihmojmë vendin tuaj. “Të dy Kryeministrat udhëtuan drejt Tiranës./tvklan.al

Gazetare : Ornela Bego