Zëvendësministri i Brendshëm ishte në komisionin e posaçëm për të dhënë hollësi mbi ecurinë e procesit të hartimit të regjistrit kombëtar elektronik si dhe pajisjen e shtetasve me dokumentet e reja të identifikimit.

Pone tha, se puna me regjistrin përfundon në tetor dhe që prej datës 15 të po këtij muaji nis pajisja e shtetasve me numrat e identitetit. Proces që është parashikuar të përfundojë në datë 15 nëntor. Prej janarit 2009, nis pajisja e shtetasve me karta identiteti dhe këtu Pone theksoi, se gjithçka do të arrihet në kohë, parë në raport me zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Por si element i ri në prezantimin e zëvendës ministrit të brendshëm, ishte ai për miratimin e një vendimi qeverie që detyron shtetasit shqiptar  të pajisen me karta identiteti. Megjithatë përfaqësuesit e opozitës janë shfaqur skeptikë me të gjitha afatet e paraqitur nga Pone.

Fatmir Xhafaj e lidhi shqetësimin e tij kryesisht me pajisjen e emigrantëve me dokumentet e ri të ID.

Fatmir Xhafaj: “Precedent i zbatuar deri tani që 9 muaj para të kemi gati listën e zgjedhësve dhe nga ajo çfarë kuptova këtu në do duhet o ta modifikojmë, o të bëjmë një dispozitë tranzitore sepse nuk realizohet. Si do të bëhet pastrimi i publikimeve, do të marr vetëm një element atë që i kap emigrantët, kjo është një gjë që nuk bëhet. Me faktin që një shtetas ka dy momente që duhet të paraqitet, një që të aplikojë dhe një për ta tërhequr, i bie dy herë të vijë. Imagjinoni këtë për një emigrant që veç vullnetit në ligj nuk ka asnjë mundësi tjetër praktike.”

Ferdinand Pone: “Ne sot kemi një bazë kombëtare të plotë të dhënash kompjuterike që i përditësojmë përditë. Mund ta nxjerrim listën e zgjedhësve nëse doni për një orë, jo për tre muaj siç ishte në kodin e parë. Unë nuk thash në asnjë vend që ne do ti pajisim emigrantët atje ku janë, kur hyjnë në republikën e Shqipërisë, do t’iu luteshim shumë ndoshta mund të vendosim dhe masa obliguese që përpara se të dalin të bëjnë aplikim.”

Kryetari i komisionit Rusmali u kujdes të sqarojë për gazetarët një vendim të marrë tashmë nga komisioni i reformës elektorale mbi dokumentet që nevojiten për votim. Përjashtuar certifikatat në 2009, votohet me karta ID dhe me pasaportat aktuale, kur këto të fundit janë brenda afateve të vlefshmërisë së tyre./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi