Sekretari i Partisë Socialiste për çështje ligjore, Fatmir Xhafa, ka akuzuar presidentin e republikës se ka përdorur veç një pretekst për të kthyer ligjin e ri zgjedhor.

Xhafa i shtoi këtij deklarimi pasojat që sjell në kod mosmiratimi i tij në kohë, duke shkelur afatet për ngritjen e komisioneve të administrimit të zgjedhjeve siç është KQZ.

Fatmir Xhafa: “Nëse zgjatet ky proces Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shkon në sesionin tjetër dhe kalimi im i thirrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në sesionin tjetër do të thotë vonesë në nxjerrjen e udhëzimeve përkatëse. Krijohen probleme me nxjerrjen e akteve nënligjore që detyrohet qeveria nga ky kod zgjedhor për kartat e identitetit, për listat e zgjedhësve dhe një sërë problemesh të tjera, të cilat siç thashë vënë në pikëpyetje integritetin e procesit. Unë shpresoj dhe besoj që mazhoranca do të reflektojë seriozisht që ajo që ndodhi me dekretin, me kthimin, mos të vazhdoj tashi me kuvendin e Shqipërisë. E lexova me kujdes edhe arsyetimin që është bërë. Është një arsyetim i gabuar sepse është marrë për bazë data e zgjedhjeve në Qershor dhe nuk është marrë për bazë data e mbylljes, e përfundimit të mandatit të kuvendit. Këto dy janë dy gjëra që teknikisht duhet ta kishin ndarë mirë juristët që kanë bërë, kanë bërë kthimin.”

Xhafa i bëri këto deklarimeve pas mbledhjes me dyer mbyllura të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, ku përfaqësohet si bashkëkryetar përkrah Ilir Rusmalit.

Në 30 minuta gjithçka është fokusuar vetëm në dekretin e kryetarit të shtetit duke ngarkuar me punë ekspertët pranë komisionit të hartojnë të gjitha ndryshimet e nevojshme, por Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila e ka parë që në krye të herës kthimin e kodit si mundësi për reflektim të dy forcave të mëdha ka paraqitur amendimet e saj, referuar çështjes së administrimit të zgjedhjeve si dhe mënyrës së ndarjes së mandateve.

Spartak Braho: “Pjesëmarrjen e LSI-së në komisionet e reformës zgjedhore sipas formulës një përfaqësues Partia Socialiste, një Partia Socialdemokrate, një Partia Lëvizja Socialiste për Integrim nga krahu i majtë. Njëkohësisht propozuam edhe unifikimin e formulës së ndarjes së mandateve. Shpresojmë që amendamentet tona të mos bien në vesh të shurdhër”.

Por rishikimi i kodit në këtë pikë duket të jetë një çështje e mbyllur për socialistët. Demokratët nga ana e tyre janë shprehur të hapur, nëse PS dhe LSI mbërrijnë në një kompromis.

Komisioni nuk përcaktoi ndonjë afat, të paktën jo publik për mbledhjen e radhës, ku priten dhe sugjerime konkrete për ndërhyrje në kodin zgjedhor në terma të afateve kohore./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi