Nëse do të regjistrohesh si sipërmarrës i një biznesi të ri, atëherë qytetet e Vlorës dhe Shkodrës ta krijojnë këtë mundësi vetëm brenda 7 ditësh. Nga një raport i Bankës Botërore të bësh biznes në Europën juglindore, këto dy qytete shqiptare renditen në vendin e parë në rajon për lehtësinë që u krijojnë bizneseve të reja për t’u regjistruar.

Kryeministri Berisha, i cili e ka përqendruar gjithë vëmendjen e tij në mbledhjen e këshillit të ministrave tek ky raport, e ka cilësuar dokumentin në fjalë si dëshmi të suksesit të filozofisë ekonomike të qeverisë së tij.  Ndërkohë që ka kërkuar votën e shqiptarëve që të vazhdojë këtë performancë të mirë fiskale dhe në mandatin e tij të dytë.

Sali Berisha: “Zotohem, se jo më larg se viti i parë i mandatit të ardhshëm, Shqipëria do të ketë një nga vendet më të para në botë për klimën e biznesit. Gjatë vitit që vjen kompletojmë procedurat, por rezultati i tyre do të jetë vitin e parë të mandatit të dytë në rast se qytetarët shqiptarë do ta besojnë, do të vendosin për këtë. Është në dorën e tyre se unë jam i vendosur ti respektoj, megjithëse unë e njoh faktin se shqiptarët besojnë në mua dhe po kështu beson komuniteti ndërkombëtar, por kjo është një diçka tjetër.”

Ndërsa ka falënderuar pushtetarët lokalë të këtyre dy qyteteve për këtë arritje, Berisha nuk ka lënë pa vendosur në shënjestrën e kritikave të tij bashkinë e kryeqytetit. Tirana në këtë raport zë një vend jo të kënaqshëm për procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit.

Sali Berisha: “Në Shqipëri problem mbetet leja e ndërtimit dhe Tirana në këtë aspekt në rajon për fat të keq, në qoftë se Shkodra dhe Vlora kanë sërish vende të lakmueshme, ta gjej saktësisht sepse pastaj kryetari i bashkisë së Tiranës nxjerr Shalsin në konferencë se e kanë kështu ata si punë. Po ja ku është Shkodra renditet e 7, Vlora e 9, e 17 Tirana. Kurse për numrin e procedurave për leje ndërtimi Tirana renditet e 18. Po kështu Tirana është problematike në regjistrimin e pasurive.”/tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka