PS ka bojkotuar mbledhjen e sotme të Komisionit Hetimor për Shërbimet në Shëndetësi. Ende nuk dihet arsyeja e mospjesëmarrjes së anëtarëve të mazhorancës në diskutime, ndërkohë që të pranishëm janë kryetarja e komisionit Albana Vokshi dhe deputetët e tjerë të opozitës.

Kujtojmë se të Martën pati debate të shumta në mbledhjen që u zhvillua. Fillimisht u bë shkak një deklaratë për konflikt interesi për 2 koncesionet që do hetohen.

Deputetët e PD u kërkuan kolegëve të PS për ta firmosur këtë deklaratë, por hasën në kundërshtinë e tyre e cila më pas agravoi në përplasje verbale me tone të larta. (Lexo më shumë)

Po ashtu kryetarja Vokshi e nënkryetari i komisionit Plarent Ndreca debatuan lidhur me rolin e sekretarit në këtë komision. Vokshi theksoi se “duhet të marrë fund shantazhi ndaj stafit dhe se PS nuk mund ta monopolizojë punën e komisionit”. Ndërsa nga ana tjetër, Ndreca citoi ligjin sa i takon menaxhimit të pjesës administrative dhe vendimmarrjeve.

Edhe Petrit Vasili kërkoi që t’i jepej fund këtyre pretendimeve nga mazhoranca, duke e cilësuar si “komedi”./tvklan.al