Disa ditë më parë, më 18 maj, Blendi Fevziu festoi ditëlindjen. Gazetari ndau në rrjetet e tij sociale disa kujtime ndër vite, një kolazh me foto bardhë e zi e më pas me ngjyra, shoqëruar nga kënga e grupit Ritfolk, “Shkoj drejt fatit tim”.

Në programin “Rudina” në Tv Klan, Fevziu shprehet se nuk ishte një zgjedhje rastësore pasi secili ka një rrugëtim jete të lidhur me fatin ndërsa fotot janë edhe një demonstrim i vizionit të Shqipërisë së shkuar dhe të tashme.

Blendi Fevziu: E vura këngën e Ritfolkëve sepse çdo njeri ka një rrugëtim të tijin në jetë. Një rrugëtim ku natyrisht fati luan një rol jo të vogël dhe e nisa për këtë arsye sepse rrugëtimi i brezit tim, jo vetëm i imi, ka nisur bardhë e zi dhe është bërë me ngjyra rrugës. Një fëmijë i sotëm ose një fëmijë i viteve ’90 e tutje, i ka fotot me ngjyra, ne e ndajmë jetën bardhë e zi dhe me ngjyra, nuk është vetëm një ndryshim gati-gati politik, por është edhe një ndryshim viziv yni. Po ta shohësh, aty ke një Shqipëri bosh, me ato rrugët bosh me pak njerëz dhe pastaj hyn te një ritëm tjetër i gjërave,  krejtësisht tjetër./tvklan.al