Refuzuan të regjistrohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pasi në 6 Mars si Partia Republikane, ashtu edhe ajo Agrare Ambientaliste nuk kanë pritshmëri për të dalë me kandidatët e tyre.

Fatmir Mediu: Ne s’kemi pretendime për kryetar bashkie, e dyta Këshilli Bashkiak nuk ka garë.

Agron Duka: Nuk pretendojmë të kandidojmë në asnjë nga këto bashki që ka zgjedhje, e dyta nuk jemi drejtuar drejt asnjë grupi për të bërë aleancë.

Ende nuk janë pozicionuar se kandidatët e cilit grupim brenda rradhëve të demokratëve do të mbështesin në 6 Mars, por me bindje thonë se vota e tyre  do të shkojë për ata individë që premtojnë fitoren në zgjedhje.

Agron Duka: Mund të ndodhë që mund të mbështesim kandidatin që ka dalë nga rithemelimi, por kjo s’është taksative, por në bashki të ndryshme do mbështesim kandidatin fitues, por këtë nuk e vendos unë, por duhet bërë një takim me bazën që të orientohemi drejt kandidatit që premton të fitojë.

Fatmir Mediu: Çdo qëndrim që unë marr do ishte subjektiv dhe në një takim me bazën ne do përcaktojmë qëndrimin në degë në raport me kandidatët dhe do mbështesim kandidatët më favorit në garë.

Për të mos patur edhe më tej rrjedhje votash në kampin opozitar, Fatmir Mediu thotë se i ka propozuar palëve një formulë që garantonte daljen me një kandidat edhe në kushtet e një përplasjeje mes Bashës e Berishës.

Fatmir Mediu: I kam kërkuar zgjedhje paraprake të hapura ku nuk votojnë vetëm anëtarët e partive, por të gjithë votuesit për kandidatët. Pati reflektim, por pastaj mbeti pa përgjigje.

Agron Duka thotë se e ka të vështirë të zgjedhë mes dy kandidatëve demokratë në Durrës, me të cilët ka bashkëpunuar në zgjedhje më herët. Në kushtet e një ndarjeje thotë se matematika do të shkojë në favor të Edi Ramës, duke e lënë edhe në këto zgjedhje këto bashki në duart e socialistëve.

Agron Duka: Luan Hoti, njeri me kontribute në PD, unë kam bërë fushatë me të, pjesë e fushatës ka qenë dhe Ardjan Muka dhe këto janë fatkeqësitë e kësaj zallamahie. Matematikisht e kemi të vështirë të zgjedhim.

Ndërsa aleati tjetër i demokratëve, demokristiani Nard Ndoka thotë se në këto zgjedhje do  të  mbështesë kandidatët e Komisionit të Rithemelimit.

Tv Klan