Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Presidenti Mejdani ka kërkuar sot nga organet kompetente shqiptare të mbledhin më shumë dëshmi nga të ardhurit nga Kosova, pas shpalljes së Milosheviçit dhe katër bashkëpunëtorëve të tij kriminel lufte. Ai i ka kërkuar Kryeprokurorit Rakipi dhe kreut të SHIK-ut Klosi, intensifikimin e punës për mbledhjen e dokumenteve e dëshmive për të ndihmuar Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës.

Brenda kuadrit ligjor ekzistues tha Mejdani, organi shqiptar i akuzës dhe SHIK, jo vetëm duhet të ndihmojmë Prokurorët Ndërkombëtare, por duhet që edhe vendi ynë të depozitojë pranë Gjykatës së Hagës një padi për dëmet e luftës njerëzore e materiale, që i ka shkaktuar Shqipërisë klika e Milosheviçit.

Rakipi e Klosi përveçse kanë paraqitur punën e deritanishme në këtë drejtim, u shprehen se do të punohet në të gjitha kampet kosovare dhe do të shfrytëzohen të gjitha mundësitë në grumbullimin e fakteve dhe për llogaritjen e dëmeve ekonomike./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego