Në prag të samitit historik të NATO-s, kancelaria gjermane Angela Merkel ilustroi rëndësinë e madhe të këtij moment duke përmendur një citat të kryeministrit shqiptar Sali Berisha.

Angela Merkel:Jam shumë e interesuar që këtij samiti t’i jepet rëndësia e duhur, ndoshta do të na ndihmonte për këtë një citat nga një intervistë që kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha i pat dhënë të hënën e kaluar gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Pyetjes se çfarë do t’i sjellë NATO-ja Shqipërisë, ai iu përgjigj si më poshtë citoj:

Qëllimi i NATO-s është që armiqtë t’i kthejë në miq, kjo do të thotë se është një fitore e madhërishme që një nga vendet më komuniste të botës, tani po bëhet anëtar i Aleancës më perëndimore.”

Kancelaria kristiandemokrate përshëndeti anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO dhe tha se procesi i zgjerimit është tejet i rëndësishëm për këtë aleancë.

Angela Merkel: “Ne përshëndesim anëtarësimin në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë. Jam e bindur që konflikti për kufirin mes Sllovenisë dhe Kroacisë nuk do të rrezikojë këtë proces. Shpresoj gjithashtu që në një të ardhme të afërt, edhe anëtarësimi i Maqedonisë do të bëhet i mundur. Për mendimin tim, procesi i anëtarësimit të këtyre vendeve është shumë i rëndësishëm.

Sipas Merkel samiti i NATO-s që do të zhvillohet më datat 3 dhe 4 prill në Kehl të Gjermanisë dhe Strasburg të Francës  me këto dy anëtarë të rinj do të hedhë piketat e para për një koncept të ri strategjik./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle