Komiteti për mbrojtjen e kushtetutës ka zhvilluar një takim në qytetin e Beratit me qëllim garantimin e një mbështetjeje sa më të gjerë qytetarë për organizimin e referendumit. Analisti Andrea Stefani tha se ndryshimi i ligjit themelor në 21 prill ishte një proces aspak transparent dhe që solli si produkt të vetëm forcimin e autoritarizmit dhe prishje mes balancave të pushteteve në vend.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim siguroi të pranishmit në takim se forca politike që drejton do të bëjë të mundur mbajtjen e referendumit për ti dhënë popullit mundësinë për tu shprehur.

Ilir Meta: “Ju e shikoni se sa i ashpër është bërë Berisha pas këtyre kompetencave të jashtëzakonshme që iu dha në 21 prill edhe ndaj medias. Ju e dëgjuat besoj edhe raportin e fundit të Kombeve të Bashkuara që Shqipëria është një nga vendet më aktive dhe më shqetësuese përsa i takon trafikut ndërkombëtar të drogës dhe heroinës.”

Në takimin në Berat merrte pjesë dhe deputeti socialist Luan Memushi, gjithashtu mbështetës i referendumit popullor kundër ndryshimeve kushtetuese. /tvklan.al