Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka ftuar edhe një herë Edi Ramën për të bashkëpunuar për largimin e kësaj qeverie. Ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, Meta ia drejtoi këtë ofertë Ramës nga Berati duke thënë, se ai është i gatshëm për ta larguar Berishën nga pushteti që tani po të bjerë dakord edhe lidershipi i selisë rozë.

Ilir Meta: “Ky proces vjen në një moment kur LSI-ja rritet në të gjithë Shqipërinë, vjen në një moment kur jo vetëm Sali Berisha vjen duke u plakur dhe kemi thënë, që këtë vit ai mbush moshën e pensionit dhe dua t’ju siguroj se në 2009 do dalë me çdo kusht në pension. Unë jam i gatshëm të dali që sot, por nuk është dakord  Edi Rama.”

Por nga ana tjetër Meta ka vijuar me akuzat e tij kundër Ramës, duke thënë se me kompromiset që ka bërë me Berishën ka arritur të bllokojë një sërë reformash në vend, përfshi edhe atë zgjedhore.

Ilir Meta: “Është Edi Rama për fat të keq që hedh poshtë ato arritje dhe ato vlera pozitive të partisë që ai drejton, e cila pa asnjë diskutim ka pasur vlera shumë ët rëndësishme në mbrojtje të demokracisë, në ringritjen e shtetit të djegur nga Berisha, të cilit Edi Rama i ha në 21 prill po aq pushtete sa kishte edhe në 97.”

Këto deklarata Meta i bëri gjatë konferencës së dytë të degës së LSI-së në Berat, ku përpara anëtarëve dhe simpatizantëve të kësaj force politike theksoi dhe një herë se partia e tij do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme. Kreu i LSI-së ka zhvilluar edhe një takim  në Vlorë ku mori pjesë në konferencën e Gruas./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro