Kryetari i LSI-së Ilir Meta ka deklaruar dhe një herë se nëse nuk fiton e vetme zgjedhjet, pas tyre do të bëjë koalicion vetëm me PS, duke hedhur kështu poshtë çdo aludim për një bashkëpunim të tij me Berishën pas 28 qershorit. Në një takim në Fier, Meta ka theksuar faktin se LSI mbetet një forcë politike që nuk ka rënë pre e diversioneve të kryeministrit Sali Berisha për të përçarë opozitën.

Ilir Meta: “Është koha për veprim dhe ky apel mendoj është ai që bashkon gjithnjë e më shumë shqiptarët rreth LSI-së dhe koalicionit tonë e sidomos që bashkon në mënyrë të veçantë gjeneratën më të re. Ka nevojë për një drejtim me ambicie të mëdha, por edhe që ka dhënë prova që mund të nxjerrë endin nga kriza dhe ta fusë në rrugën e stabilizimit dhe të zhvillimit, Kjo është alternativa më konkrete dhe është alternativa që do t’i japi mundësinë çdo shqiptari që ka probleme jetike të dalë nga këto probleme dhe të jetojë dhe të ndihet më mirë çdo ditë.”

Në fund Meta ka shpërndarë për 320 nga të pranishmit kartat e anëtarësisë, duke  ironizuar procesin e pajisjes me karta të identitetit sa i takon sigurisë së tyre./tvklan.al