Lëvizja Socialiste për Integrim hidhet në aksion konkret për të përmbushur angazhimin për referendum popullor për ndryshimet kushtetuese. Pavarësisht mungesës së një përgjigje zyrtare për letrën publike të drejtuar kryetarit të Partisë Socialiste, Meta nuk duket të ketë humbur shpresat.

Ilir Meta: “Ne në radhë të parë mirëpresim një vullnet institucional, se po të ishte për të bërë një diversion ne u ishim drejtuar deputetëve të veçantë, prandaj i jam drejtuar kryetarit të PS edhe pse ai nuk është deputet. Në mënyrë që ai të ndikojë tek grupi i vet parlamentar që ata të nënshkruajnë këtë kërkesë mese të drejtë dhe mëse të ligjshme që këto ndryshime t’i verifikojë populli shqiptarë nëse janë apo s’janë të drejta, sepse për kushtetutën është shprehur populli shqiptarë. Për të arritur këtë objektiv dhe kjo është shumë e rëndësishme ne do të përpiqemi pastaj të komunikojmë me të gjithë deputetët, jo vetëm të PS por të gjithë posteve politike, se sa e suksesshme do të jetë kjo ndërmarrje, unë nuk jam i sigurt, sepse ju e kuptoni që deputetët janë në një presion të jashtëzakonshëm”.

Bazuar në ligjin themelor, 28 deputet mund të kërkojnë mbajtjen e referendumit popullor për çështje të rëndësishme përfshirë edhe ndryshimet në Kushtetutë. Gjithashtu një proces i tillë mund të garantohet dhe falë firmave të 50 mijë qytetarëve. Po LSI duket ka përzgjedhur një veprim taktik, konsultuar dhe me konsitucionalist. Vetëm firmat e deputetëve në rast se ato garantohen të 28-ta mund të pengojnë hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese deri në mbajtjen e referendumit./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi