Pas 73 ditësh bombardime Presidenti Jugosllav Millosheviç ka pranuar kushtet e vëna nga komuniteti ndërkombëtar për një paqe në Kosovë. Shefi i Qeverisë së Përkohëshme të Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se është skeptik për këtë marrëveshje. Të gjithë e dimë që Millosheviçi nuk heq dorë kollaj nga Kosova.

Presidenti Amerikan Bill Klinton ka thënë se fushata ajrore e NATO-s do të vazhdojë deri sa të tërhiqen trupat nga Kosova. Sipas Kryeministrit të Anglisë Toni Bler kjo marrëveshje është një arritje e kushteve të vendosura por jo një element përfundimtar i zgjidhjes së krizës. Për Presidentin Rus Jelçin fushata ajrore e sulmeve të Aleancës duhet të ndërpritet menjëherë.

Për Kancelarin Gjerman Shreder kjo është një ditë e madhe për Europën dhe të gjithë njerëzit në Jugosllavi. Presidenti Francez Zhak Shirak ka vlerësuar perspektivat për një zgjidhje paqësore në Kosovë. Për një nga ndërmjetësit e paqes së Dejtonit për Bosnjen, Lord Ouen, fitorja më e madhe do të jetë kthimi i mbi një milion të shpërngulurve nga Kosova.

Gjenerali i trupave të NATO-s në Europë Uesli Klark ka zhvilluar një bisedë telefonike me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave. Për autoritetet politike të NATO-s fillimi i një tërheqje do jetë i mjaftueshëm për ndërprerjen e sulmeve ajrore./tvklan.al