Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Sot paradite Ministri i Rendit Publik Ilir Gjoni, ka shkuar në qytetin e Peshkopisë, si dhe në pikat e vendkalimit kufitar të Blladës dhe Qafë Thanës, për t’u njohur më nga afër për situatat e krijuara dhe flukset e të ardhurve si pasojë e tensioneve në Maqedoni. Në Peshkopi Ministri i Rendit Gjoni, ka marrë takime me prefektin, kryetarin e bashkisë dhe drejtuesit e policisë, duke u interesuar për situatën.

Ministri Gjoni ka shkuar edhe në pikat e vendkalimit kufitar, të Blladës dhe Qafë Thanës, ku ka konstatuar se drejtuesit e pushtetit lokal dhe drejtuesit e policisë në bashkëpunim edhe me UNHCR, kishin ngritur shtabet e emergjencës dhe ishin në gatishmëri të plotë për përballimin e situatës. Më pas ministri Gjoni është takuar edhe me përfaqësues të UNHCR-së, me të cilët ka biseduar për koordinimin e veprimeve me autoritetet shqiptare, për të bërë të mundur lehtësimin e situatës./tvklan.al