Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Qeveria shqiptare është mjaftuar me një reagim spontan të Ministrit të Drejtësisë Spiro Peçi, për të dhënë qëndrimin e saj ndaj raportit vjetor të Komisionit Europian, të mbushur me kritika për Shqipërinë. Pas një mbledhje të kabinetit qeveritar, ministri Peçi ka dalë për të treguar për një paketë reformash të miratuar për luftën kundër korrupsionit.

Spiro Peçi:- “Miratimi nga qeveria sot të projektligjit për organizimin dhe funksionimin e gjykatave për krimet e rënda, ligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave, i cili synon përmirësimin efektiv dhe thelbësor të organizimit të funksionimit të organeve tona”.

Por Ministri i Drejtësisë Spiro Peçi është detyruar t’i përgjigjet edhe interesit të medias, për përgjegjësinë që ka qeveria shqiptare dhe ministria që ajo drejton, ndaj kritikave të ashpra të raportit vjetor të komisionit evropian në lidhje me nivelin e lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri.

Spiro Peçi:- “Është e vërtetë, që edhe qeveria edhe Ministra e Drejtësisë ka pjesën e vetë në këto konstatime negative, por unë do të thosha, që pikërisht këtë po deklarojmë sot, që efektivisht janë duke u marrë masat, në drejtim edhe të rekomandimeve që janë dhënë qoftë nga grupi i përbashkët task force BE-Shqipëri, qoftë edhe nga rekomandimet e tjera të organizmave që monitorojnë dhe ndihmojnë sistemin e drejtësisë, apo të reformave që duhen bërë në drejtësi”./tvklan.al