Ministri i jashtëm i Rumanisë Lazar Komanesku ka vlerësuar ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria gjatë viteve të fundit. Këto vlerësime kryediplomati rumun i bëri në përfundim të takimit që zhvilloi në Tiranë me ministrin tonë të jashtëm Lulzim Basha, si pjesë e vizitës zyrtare që po zhvillon në Shqipëri.

 Lazar Comanescu: “Gjatë bisedës u ndalëm tek çështja e reformave, sidomos tek ecuria e reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore. Ne kemi ofruar mbështetjen tonë me ekspertë që ju të përmbushni këto reforma. Por dua të vlerësoj veçanërisht arritjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.”

Për çështjen e liberalizimit ministri Basha është ndalur gjatë takimit tek puna që po bën Shqipëria për përmbushjen e kushteve që lidhen me prodhimin e kartave të ID dhe të pasaportave biometrike.

Lulzim Basha: “Ne kemi rënë dakord dhe do të nënshkruajmë sot një memorandum bashkëpunimi, ku vendet tona angazhohen të mbështetin njëri-tjetrin dhe në veçanti Shqipëria do të përfitojë mbështetje konkrete reale nga Rumania në përvojën e saj të integrimit europian. Veçanërisht sa i përket procesit kompleks të negociatave të anëtarësimit në BE dhe për këtë i shpreh falënderimet e mia ministrit të jashtëm rumun zotit Komanesku.”

Lidhur me zhvillimet e fundit në rajon ministri Basha tha, se nuk mund të ketë bisedime të reja për statusin e Kosovës, pasi ky shtet tashmë është shpallur i pavarur. Sipas tij vendimet e Beogradit për të ngritur struktura paralele në Kosovë janë qesharake dhe cenon të drejtat e minoritetit serb në Kosovë.

Ministri i jashtëm i Rumanisë Lazar Komunseku zhvilloi një takim edhe me kryeministrin Berisha. Gjatë këtij takimi ministri rumun ka vlerësuar rolin e Berishës në realizimin e reformave që u finalizua me marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.

Ministri Komanesku u prit në takime të veçanta nga presidenti Bamir Topi dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli./tvklan.al