Në vijim të turit “Shqipëria po Ndryshon”, Ministri i Financave, Ridvan Bode, vizitoi komunën Pirg në qarkun e Korçës.

I shoqëruar dhe nga deputeti i zonës, Edmond Spaho, ai u takua me banorë të zonës, mbështetës dhe simpatizantë të Partisë Demokratike.

Duke u fokusuar në arritjet e qeverisë për këtë mandat katërvjeçar Bode tha se ritmi i investimeve ka qenë gjashtë herë më i madh se në tetë vitet e qeverisjes socialiste.

Ridvan Bode: “Se vumë në taksim bizneset e ish-qeveritarëve, trafiqet e kontrabandës të organizuar nga qeveritarë dhe këto 3.2 miliard dollarë më shumë ne i bëmë investime për ju, i bëmë paga për ju, i bëmë pensione për ju.”

Sipas Bodes qeveria e djathtë do të vazhdojë rritjen e pagave dhe pensioneve edhe në mandatin e dytë të saj për të përmbushur kështu një prej premtimeve kryesore që i ka dhënë elektoratit.

Deputeti i zonës, Edmond Spaho, i quajti katër vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike, një ndryshim të dukshëm, që vihet re jo vetëm në zonën e Korçës, por në të gjithë Shqipërinë./tvklan.al

Gazetar: Drini Zeqo