Lajme Arkiva 2003

Plot 100 mësues të të gjithë brezave dhe moshave të ndryshme janë ftuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencave për të festuar 7 Marsin, ditën e mësuesit. Në listën e këtyre 100 të ftuarve në këtë ceremoni mes personaliteteve kryesore të arsimit ishte i ftuar edhe dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale Ylli Pango.

Lëndët eksplozive që u përdorën dje kundër tij kanë dëshmuar më së miri se jeta e çdo mësuesi në Shqipëri mund të jetë e rrezikuar në çdo moment. Ministri i Arsimit dhe i shkencave Luan Memushi ka dënuar aktin e rëndë që ndodhi dje.

“Lëndët plasëse që u përdorën dje kundër këtij dekani, goditën mësuesin, profesorin prandaj autorët dhe terroristët e aktit kriminal janë dënuar me neveri,” ka thënë ai.

 Në emër të të gjithë punonjësve të arsimit shqiptar ai i ka uruar shërim të shpejt dekanit të fakultetit të shkencave sociale Ylli Pango. 7 Marsi është një festë kombëtare. Ajo përkon me çeljen e mësonjëtores së parë shqipe në 7 Mars të vitit 1887 në Korçë.

Sot mbushen pikërisht 116 vjet që nga çelja e kësaj shkolle të parë në gjuhën shqipe. Në këtë 116 vjetor ministri Memushi nënvizoi mjaft arritje të arsimit shqiptar gjet këtyre viteve. Ai theksoi se tani në Shqipëri funksionojnë 3800 godina shkollore dhe numërohen rreth 5392 nxënës në nivele të ndryshme mësimore.

Sipas të dhënave të përllogaritura së fundmi këtë vit numri i nxënësve që braktisin bankat e shkollave për arsye të ndryshme është në rënie nga 1.4% në 1%, ndërsa për rritjen e analfabetizmit në shkallë vendi, të paktën 12 vitet e fundit nuk ka sondazhe të sakta.

Megjithatë një nga projektet më ambicioze të vitit të ardhshëm që ndoshta do të ndihmojnë në përmirësimin e këtij problemi, do të jetë shpërndarja e teksteve shkollore falas në saj të një projekti të luftës botërore në kuadër të zbutjes së varfërisë.

Ky projekt në të cilin aspirojnë të hyjnë 23 vende të botës, synon që deri në vitin 2015 të mos ketë asnjë nxënës që do të braktisë bankat e shkollave në çdolloj niveli.

Në ceremoninë festive u organizua edhe një koncert artistik nga nxënësit e shkollës së mesme “Jordan Misja”./tvklan.al