Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe dërgon në gjyq italianin Antonio Abrusci. Ai akuzohet për falsifikim të dokumenteve, me të cilat kishte fituar tenderin për pastrimin e pjesës lindore të Tiranës dhe qytetit të Kavajës për vitin 2016.

Sipas hetimeve të prokurorisë mjetet që do të përdoreshin nga kompania që administronte italiani nuk kishin kryer kontrollin teknik, u mungonte siguracioni dhe u ishte falsifikuar viti i prodhimit.

Asnjë prej 12 mjeteve që kishte në pronësi “Ecologica SHPK” nuk plotësonin kriteret për të pastruar qytetin.

Dokumentet firma i ka dorëzuar në mënyrë elektronike pranë Bashkisë së Tiranës për pastrimin e zonës lindore, një tender që kap shifrën e 1 miliard e 200 milion lekëve të vjetra.

Por ka qenë ankesa e një firme e cila humbi tenderin ajo që zbuloi skandalin. Pikërisht kjo ankesë bëri që fondi mos të lëvrohej pasi duhet të zgjidhej çështja pranë Komisionit të Prokurimeve Publike.

Por ligjërisht firma e Antonio Abrusci ishte shpallur fituese. Abrusci u shpall në kërkim nga prokuroria e Tiranës në korrik, por ai u largua nga Shqipëria disa ditë para se të lëshohej urdhër-arresti për të. / TV KLAN