“Stand By You” ose përkthyer në shqip “Qëndroj krah teje” është kënga e Anna Gjebreas e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në Junior Eurosong. Një këngë me mesazh të fortë siç është bullizmi, sidomos ai midis fëmijëve ndaj të cilit ndjeshmëria është edhe më e lartë.

E pyetur nga Rudina Magjistari gjatë emisionit të saj “Rudina” në Tv Klan, Anna Gjebrea tregon se si duket bullizmi në sytë e saj, disa nga prapaskenat e klipit ku në këto të fundit rrëfen edhe një incident për të cilin i vjen keq që ka ndodhur, por gjesti i saj i mirë flet tepër. Ashtu si në këngën e saj, edhe Anna i ka qëndruar krah një djali që ka përjetuar bullizmin.

Rudina Magjistari: Si mendon, një fëmijë i bullizuar si ndjehet? Çfarë pasojash ka në të vërtetë bullizmi?

Anna Gjebrea: Nuk do të shkojë në shkollë, nuk do të socializohet dot me njeri. Sepse ndihet shumë i bulluar në vetvete dhe nuk flet me asnjeri.

Rudina Magjistari: Flasim pak për realizimin e videoklipit, sepse dhe ai ishte shumë i bukur, më kujtoi pak Britney Spears në kohën e vet me thënë të drejtën. Mënyra se si kërceje në korridoret e shkollës pavarësisht temës që kishe zgjedhur që ishte tërësisht tjetër sigurisht. Më trego diçka në lidhje me prapaskenat e videoklipit, a ka ndonjë gjë ndonjë sekret, ndonjë detaj? A mund të na tregosh ndonjë episod?

Anna Gjebrea: Po. Më e bukura ishte që ngaqë ne kërcenim aq shumë dhe pas çdo skene duhej të rregullonim flokët. Por më erdhi shumë keq ajo është një këngë që flet për bullizmin dhe në prapaskenë ndërkohë që kënga po xhirohej dhe unë e mora vesh me shumë vonesë, një djalë po bullohej me të vërtetë.

Rudina Magjistari: Vërtetë?

Anna Gjebrea: Po. Unë e mora vesh me shumë vonesë dhe u mërzita shumë që nuk ma kishin thënë, por u ndjeva shumë keq.

Rudina Magjistari : Dhe çfarë ndodhi pastaj? Ndërkohë i kishit mbaruar xhirimet e videoklipit, atë djalin pate mundësi ta takoje?

Anna Gjebrea : Ishte dita e parë, ditën ne dytë unë e takova prapë dhe folëm si ishte. Ishte mirë dhe pastaj vazhduam xhirimet./tvklan.al