Vetëm 45 km nga Peshkopia ndodhet një nga zonat ku natyra nuk është kursyer. Në fshatin Rabdisht të Dibrës gjen gjithçka. Vizitorët e zgjedhin veçanërisht për natyrën për turizmin malor. Në fshatin e rrethuar me male të larta, mund të ecësh në sokakët e kalldrëmta shoqëruar gjatë gjithë kohës me shtëpitë karakteristike të vjetëra. Ardhja këtu është një zgjidhje shumë e mirë në këtë periudhë për t’u shpëtuar temperaturave të larta për shkak të klimës.

Këtu nuk vijnë vetëm vizitorë vendas, por edhe nga shtete të tjera. Këta të fundit e kanë zbuluar vitet e fundit këtë fshat. Nisur nga zhvillimi i turizmit shumë banorë i kanë kthyer shtëpitë në bujtina për të pritur turistët.

“Njerëzit që vijnë më së shumti janë nga Tirana dhe rrethet, por edhe turistë të huaj. Po operojnë. Akoma s’kam booking, por do e realizoj në fund të muajit. Më së shumti me numër telefoni, Facebook e Instagram.”

Shtëpitë nuk janë të mëdha, janë me pak dhoma, por të mjaftueshme për të mirëpritur vizitorë.

“Kjo është dhoma më e veçantë që ka bujtina, të gjithë ata që vijnë e preferojnë. Është ruajtur tradita se shtëpitë janë të gjitha prej guri. Kjo njerëzve po u pëlqen!”

Ne gjetëm aty turistë edhe nga SHBA. Ata thonë se vijnë në Rabdisht për të disatin vit ndërsa vlerësojnë veçanërisht natyrën dhe mikpritjen e njerëzve.

“Është viti i tretë radhazi që vij këtu, natyra është e mrekullueshme. Njerëzit janë fantastikë, ushqimet të shijshme.”

“Patjetër që do rikthehem sepse kam një lidhje të fortë me këtë vend.”

Turistët që vizitojnë fshatin nuk largohen pa provuar gatimet tradicionale. Por cilat janë gatimet që ata preferojnë më shumë?

“Pula me jufka, byreku tradicional i fshatit, gjizë, sarma, petë misri.”

Dibra ka të zhvilluar veçanërisht turizmin malor. Në këtë qark ka një sërë destinacionesh që zgjidhen nga vizitorët si lumi Drin Mali i Korabit, liqenet e Lurës apo bjeshkët.

Klan News