Në ndryshim nga opozita, të djathtët duket se janë në pritje të fillimit të shtatorit që përkon me fillimin e sesionit të ri parlamentar, për të nisur negociatat mes aleatëve mbi kodin zgjedhor apo koalicionet elektorale. Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, mendon se aleatët e tyre kryesor demokratët, duhet të ndërmarrin iniciativën për të nisur organizimin e të djathtës dh kjo jo vetëm në funksion të fitimit të zgjedhjeve të ardhshme.

Fatmir Mediu: “Të gjithë kemi arritur në një mirëkuptim që duhet të kapërcejmë spontanitetin dhe duhet që të krijojmë një lëvizje të re politike në të djathtën, duke përfituar edhe nga eksperiencat e vendeve evropiane për ndërtimin qoftë të federatave të përbashkëta politike apo dhe të koalicioneve, por gjithmonë duke pasur synim jo vetëm një raport momental, duke parë thjesht dhe vetëm zgjedhjet, por një vazhdimësi të së djathtës në të ardhmen në qeverisje apo në politikën shqiptare.”

Edhe pse të djathtët janë më të organizuar se opozita sipas Mediut ai e sheh si tepër të nevojshme gjetjen e një formule që do të rregullonte më tej marrëdhëniet e koalicionit të djathtë.

 Fatmir Mediu: “Të gjejmë atë formulë e cila bashkon jo vetëm të djathtën, por jep ide më racionale të funksionimit të së djathtës dhe njëkohësisht ofron më tepër përfshire të pjesës intelektuale të shoqërisë shqiptare në politikë. Jashtë kodin zgjedhor ne duhet të shikojmë njëherë një funksionim total të së djathtës bazuar në idetë që ajo ofron shoqërisë shqiptare, nacionalitetin e këtyre ideve dhe pastaj formula e ndërvarur politike që është e ndërvarur nga kodi zgjedhor.”/tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka