Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Është shtyrë edhe një javë formulimi i raportit të komisionit parlamentar për Rendin, në lidhje me shkarkimet dhe përjashtimet e oficerëve të lartë të policisë gjatë muajve të fundit. Pas verifikimit të procedurave të shkarkimit, kryetari i këtij komisioni Neritan Ceka është i mendimit, se nuk ka motive personale dhe të qëllimshme në shkarkimet e bëra nga ministri Toska.

Neritan Ceka: “Në qoftë se këta do të kenë rezervat e tyre, mund t’i drejtohen gjykatës, të merret vendimi përkatës i gjykatës dhe të zbatohen ato normativa të cilat pasojnë këto vendime, ndërkohë ne e kemi trajtuar problemin edhe më gjerë, jo vetëm në raportin e thjesht juridik, midis ministrit he vartësve të tij, që parashikon ligji, do të ishte e tepruar interpretimi në raporte fare personale, të hakmarrjes nga skafistët për shkarkimin e oficerëve të lartë të policisë, sepse i pari që duhej shkarkuar në këtë drejtim, duhet të ishte vetë kryeministri Nano që ka qenë drejtuesi faktik i këtij operacioni”.

Ndryshe është shprehur sekretari i këtij komisioni Shaban Memia. Sipas tij, shkarkimet e bëra nuk janë argumentuar dhe janë bërë mbi baza klanore.

Shaban Memia: “Igli Toska ka ndërmarrë veprime të cilat po e dëmtojnë shumë rëndë policinë e shtetit, pasi tërë shkarkimet dhe lëvizjet nuk janë në funksion të një analize, në funksion të një strategjie, për ta ristrukturuar, për ta ndarë këtë institucion nga lidhjet me krimin, por janë në funksion të klaneve, të mafies së Fatos Nanos dhe futjes nën kontroll të linjave të ndryshme të trafikut, që janë burim i madh i fitimit. Pasi për të gjitha rastet e shkarkuara dhe ndryshimet e bëra, nuk ka kallëzime penale dhe prova konkrete që tregojnë për implikime, por ka sajime me motivacione, shkelje disipline në punë”.

Një tjetër argument që do të shqyrtohen nga komisioni i rendit është edhe fakti nëse ka pasur kompetencë Toska të shkarkojë oficerë të lartë policor gjatë ushtrimit të detyrës së zv/ministrit./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj