Zbatueshmëria e një propozimi të mbështetur nga SHBA për të mbyllur luftën 8-mujore në Gaza është vënë në dyshim pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se do të ishte i gatshëm të binte dakord vetëm për një marrëveshje të pjesshme të armëpushimit që nuk synon t’i japë fund luftës.

Në një intervistë në Channel 14 izraelit, një stacion konservator, udhëheqësi izraelit u shpreh se ishte i përgatitur për të bërë një marrëveshje të tillë.

“Kjo nuk është më sekret, po synon të kthej disa nga njerëzit që mbahen atje. Ne jemi të përkushtuar që të vazhdojmë luftën pas një pauze, në mënyrë që të plotësojmë qëllimin e eliminimit të Hamasit. Nuk jam i gatshëm të heq dorë nga kjo.”

Komentet vijnë në një kohë të ndjeshme pasi Izraeli dhe Hamasi duket se po i largohen më tej propozimit të fundit të armëpushimit dhe mund të përfaqësojnë një tjetër pengesë për ndërmjetësit që përpiqen t’i japin fund luftës. Vërejtjet e tij mund të tendosin më tej lidhjet e Izraelit me SHBA-në , aleatin e saj kryesor.

Ndërkaq mes të tjerash kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gjatë intervistës u shpreh se faza aktuale e luftimeve kundër Hamasit në Gaza po mbyllet, duke krijuar terrenin që Izraeli të dërgojë më shumë trupa në kufirin e tij verior për t’u përballur me grupin militant libanez Hezbollah.

“Ne do të kemi mundësinë të transferojmë disa nga forcat tona në veri dhe ne do ta bëjmë këtë. Para së gjithash për mbrojtjen, por edhe për të lejuar dhjetëra mijëra izraelitë të zhvendosur të kthehen në shtëpi.”

Netanyahu tha se shpresonte se mund të gjendej një zgjidhje diplomatike për krizën, por u zotua se do ta zgjidhte problemin në një mënyrë tjetër nëse është e nevojshme duke luftuar në disa fronte.

Komentet kërcënojnë të rrisin më tej tensionet midis Izraelit dhe Hezbollahut në një kohë kur ata duket se po i afrohen më shumë luftës. Ndërkaq ministri i tij i Mbrojtjes, Yoav Gallant ndodhet në Uashington për bisedime me zyrtarët amerikanë rreth luftës dhe tensioneve me Libanin.

Ndërkaq një sulm ajror izraelit në një klinikë mjekësore në Gazës vrau drejtorin e Departamentit të Ambulancës dhe Emergjencave të Gazës si dhe një komandant të lartë të armatosur të Hamasit.

Ministria e Shëndetësisë tha se vrasja e Hani al-Jaafarawi e çoi në 500 numrin e stafit mjekësor të vrarë nga zjarri izraelit që nga 7 tetori. Në Rafah, pranë kufirit me Egjiptin, forcat izraelite tanimë kanë marrë kontrollin e pjesëve lindore, jugore dhe qendrore duke zhvilluar luftime të ashpra.

Klan News