Duke filluar nga data 2 Dhjetor kryediplomati shqiptar, Lulzim Basha, do të marrë pjesë në një seri aktivitetesh të rëndësishëm zyrtare jashtë vendit.

Në datën 2 dhe 3 Dhjetor Basha do të jetë pjesë e mbledhjes së radhës së Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s në Bruksel.

Për herë të parë në një mbledhje të tillë marrin pjesë dhe ministra të Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Kroacisë, dy vende që priten të jenë anëtare të Aleancës në Prill të vitit 2009, çka pritet të konfirmohet dhe nga ky ministerial.

Pasditen e datës 3 Basha do të udhëtojë në Oslo ku do të nënshkruajë në emër të qeverisë shqiptare konventën e OKB-së për ndalimin e municioneve thërrmuese.

Në datat 4 dhe 5 Dhjetor Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë do të marrë pjesë në punimet e sesionit të 16 të mbledhjes së ministrave të punëve të Jashtme të OSBE-së që do të zhvillohet në Helsinki.

Pritet që në fjalën e tij në këtë ministerial Basha të rikonfirmojë vullnetin e autoriteteve shqiptare për të pritur numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve të ODHIR-it për zgjedhjet e ardhshme në vend si dhe synimin e Shqipërisë për të marrë kryesinë e radhës së OSBE-së për vitin 2012.

Datat 6 dhe 7 ministrin Basha do ta gjejnë në Berlin ku do të marrë pjesë në konferencën e institutit gjerman, Aspen, me temë “Një dialog i ri transatlantik, liderit gjerman dhe Ballkan në dialog me Ballkanin”./tvklan.al