27 grupe të përbashkëta të drejtorive Tatimore, Doganave dhe Inspektoriatit të Punës kanë nisur në terren aksionin për kontrollin e bizneseve. Burime zyrtare të Ministrisë së Financave thonë për televizionin Klan se organizimi është bërë nga drejtoritë rajonale, të cilat do të veprojnë sipas planit që ka detajuar Ministria e Financave.

Aksioni ka në qendër kontrollin e ligjshmërisë së biznesit, duke nisur që nga regjistrimi i tij, numri i punonjësve, sigurimi i tyre, xhiro që deklarojnë dhe dhënia e kuponit tatimor. Këtë herë inspektorët do të shohin edhe deklarimin që bën sektori privat në faturën e shitjes dhe shumën që shënojnë kur presin kuponat.

Kontrollet kanë në fokus të gjithë kategoritë e bizneseve, si të mëdhatë edhe aktivitetin e vogël. Për bizneset VIP kontrollet do të jenë në bazë të analizës së riskut që nxjerr sistemi i tatimeve.

Ministria e Financave ka si qëllim bashkëpunim me biznesin dhe jo luftën me të. Ndryshe nga dy vite më parë, këtë herë qëllimi nuk është gjobitja dhe rritja e mbledhjes së të ardhurave në buxhet, por zhdukja e informalitetit te sektori privat.

Tv Klan