Kombëtarja nisi sot grumbullimin për ndeshjet e tetorit me Çekinë dhe Gjeorgjinë për Ligën e Kombeve, sfida që do t’i ndiqni si zakonisht në Tv Klan.

Mungesë e rëndësishme është kapiteni Berat Gjimshiti, i cili nuk është në gjendje të mirë fizike pas lëndimit të disa ditëve më parë.

Stafi teknik ka vendosur të mos thërrasë asnjë lojtar tjetër. Kuqezinjtë do të stërviten deri të enjten në Tiranë dhe më pas do të udhëtojnë drejt Pragës ku të premten do të përballen me përfaqësuesen çeke.

Një ditë pas takimit Kombëtarja do të shkojë në Tbilisi ku më 14 tetor do të përballet me Gjeorgjinë që kryeson grupin.

Këto takime janë tepër të rëndësishme për ecurinë në Ligën e Kombeve që të jep shansin edhe për një vend në play off e Botërorit 2026. Shqipëria ka 3 pikë pas 2 ndeshjeve të para.

Tv Klan