Janë rikthyer në portin e Durrësit 157 studentët shqiptarë, të cilët qëndruan të bllokuar për tre ditë në portin e Triestes, por problemet për ta nuk kanë përfunduar këtu.

Dokumentet e të gjithë pasagjerëve të tragetit, Venecia, u janë nënshtruar një kontrolli të hollësishëm.

Burime të policisë së Durrësit bëjnë me dije se po hetohet për një trafik të mundshëm klandestin.

Ndryshe nga ditët e zakonshme porti i Durrësit ka qenë i blinduar nga një numër i madh forcash policie të strukturave të ndryshme.

Vetëm pas dy orësh autobusët me studentë kanë dalë nga territori i portit nën shoqërimin e policisë në drejtime të ndryshme.

Dy prej tyre janë shoqëruar drejt Tiranës, ndërsa tjetri me 30 studentë brenda është dërguar në policinë kufitare për t’u marrë hollësisht në pyetje.

“Kur zbritëm atje na thanë që ju janë anuluar vizat në mes të tragetit, në mes të udhëtimit më saktë. Agjencia nuk ka bërë prenotimet e hoteleve. Kjo është arsyeja që na çuan dhe një letër nga autoritetet italiane. Për mua dmth është agjencia, për si person që mund ta quaja përgjegjëse, por edhe ambasadës. Nuk na, na kanë ndaluar vizat. Ne na e kanë dhënë herën e kaluar, është pa kuptim”.

“Kishte dhënë urdhër ambasada me i blloku vizat. Na ndaluan, na mbajtën aty, na dhanë me ngrënë, me pi. Shumë në rregull. U lodhëm pak normalisht se pesë ditë në traget.”

Policia po kryen verifikimin e plotë të të gjithë dokumentacionit pasi dyshohet që një pjesë e tyre të jetë e falsifikuar.

Këto dyshime çuan dhe në pezullimin e vizave Shengen, të dhënë nga ambasada hungareze në Tiranë.

Kjo seli diplomatike verifikoi deklarimet e agjencisë së udhëtimit mbi akomodimin e studentëve në hotele, çka rezultoi se agjencia nuk kishte kryer asnjë rezervim.

Gjithashtu po kontrollohet edhe dokumentacioni i agjencisë së udhëtimit. Nuk përjashtohet mundësia se mes studentëve të ketë edhe persona të tjerë, të cilët do të qëndronin në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian duke përfituar nga ky udhëtim.

Grupi i studentëve ishte nisur nga porti i Durrësit ditën e mërkurë dhe ndalesa e tyre e parë ishte Trieste, por policia kufitare italiane nuk i lejoi ata të zbresin nga anija duke shpjeguar se vizat e tyre ishin anuluar./tvklan.al