Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Amfiteatri i Durrësit i zgjedhur si monumenti i kulturës, ku do të zhvillohet konkursi ndërkombëtar i bukurisë Miss Globe, ka nisur të restaurohet. Nisja e punimeve është përuruar nga numri 2 i qeverisë Namik Dokle, Ministri i Kulturës Blendi Klosi, drejtori i Institutit Arkeologjik prof. Muzafer Korkuti dhe përfaqësues të Organizatës për Zhvillim UNOPS, si dhe Universitetit të Parmës.

Të gjithë këto institucione kanë dhënë një fond të përgjithshëm prej rreth 300 mijë eurosh për punimet që do të kryhen në amfiteatrin e lashtë. Ndërsa faza e dytë e projektit do të ketë të tjera financime.

Blendi Klosi: “Fondi i parë i dhënë është fondi më i madh i dhënë ndonjëherë për objektet e trashëgimisë kulturore dhe ashtu siç ka qenë politika e ministrisë për t’i përqendruar fondet në disa nga këto objekte, ne kemi përzgjedhur objektin e amfiteatrit të Durrësit, si një nga katër prioritete e ministrisë për këtë vit. Pra së bashku me Gjirokastrën, Pazarin e Shkodrës, Amfiteatrin e Durrësit dhe pikën antike të Bylisit, ne mendojmë që kemi zgjidhur katër nga problemet kryesore të arkeologjisë shqiptare”.

Në këtë amfiteatër u prezantua një ekspozitë fotografike me temë “Durrësi 3000 vjet qytetërim”, ndërsa janë luajtur edhe pjesë të ndryshme të muzikës klasike. Të pranishmit kanë vizituar edhe muzeun e qytetit arkeologjik të qytetit, ku u prezantuan hartat e zonave arkeologjike të Shqipërisë./tvklan.al