Prodhimi i vajit të ullirit në Shqipëri kryhet në punishtet e vogla dhe në shumicën e rasteve në mënyrë artizanale. Shumë fermerë në qarkun e Beratit, Lushnjës, Vlorës dhe Tiranës kanë investuar në minifabrika, por prodhimi i nxjerrë prej tyre destinohet për përdorim vetjak ose shitet në sasi të vogla në tregun vendas.

“Mbasi e vjelim e biem këtu, vajin e shesim, ja vlen shumë biles. Unë sivjet kam mbjell gjithsej 4 dynym”.

Halil Tabaku: “Ulliri i Krujës është një ndër ullinjtë më cilësor që ka Shqipnia. Zakonisht ky prodhim vaj tregtohet në mënyrë sa, thjeshtë ku të dalë për konsum. Kryesisht për konsum për vete me pagure kur i thona ne”.

Projekti për mbjelljen e 20 milion rrënjë ullinjve, shihet nga drejtues dhe specialist të bujqësisë në rrethe si një mundësi e mirë për shndërrimin e këtyre punishteve në fabrika të mirëfillta që do të konkurronin me prodhimin e tyre dhe në tregun rajonal.

Isuf Çela: “Rrethi i Lushnjës është një nga rrethet më të përshtatshme duke përfshirë këtu dhe rrethin e Fierit. Rëndësi ka që fermerët të bashkohen për të formuar minikooperativat dhe për të bashkuar sipërfaqet me qëllim që të mbjellën blloqe për t’i trajtuar ata shkencërisht duke i mekanizuar”.

Eduard Dervishaj: “Në kuadër të nismës së qeverisë për katërfishimin e numrit të rrënjëve për një periudhë 10-vjeçare edhe qarku i Vlorës i ka mundësitë. Do të mbjellim rreth 12.300 hektar ose konvertu në rrënjë rreth 4 milion e 50-60 rrënjë në periudhën  në vazhdim”.

Pirro Bica: “Në rajonin tonë nga 1 milion rrënjë ullinj që kemi aktualisht, brenda një periudhe 8-10-vjeçare do të kemin 4-5 milion rrënjë ullinj”.

Kultivimi i ullirit nuk është ende një industri nga e cila ekonomia jonë mund të nxjerrë përfitime dhe të bazojë zhvillimin e agrobiznesit, siç veprojnë prej vitesh fqinjët tanë si Italia dhe Greqia. Por klima e favorshme dhe zhvillimi i këtij sektori mund ta kthej vendin tonë në një prej prodhuesve më të mëdhenj të vajit në rajonin e Mesdheut./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro