Propozimi i grupit parlamentar “Bashkë për Katalonjën” që i kërkon qeverisë spanjolle të njohë pavarësinë e Kosovës, pritet të kalojë për votim në Kongres të martën e ardhshme. Përpara votimit, nisma me karakter jo-ligjor pritet t’i nënshtrohet një debati parlamentar mes të zgjedhurve spanjollë.

Në dokumentin e depozituar në Kongres, deputetët nismëtarë, teksa rendisin arsyet pse duhet ndërmarë ky hap nga Spanja, theksojnë se njohja e Kosovës është jo vetëm një detyrim që lind nga rezolutat e Parlamentit Europian, por edhe mundësi që duhet krijuar për Prishtinën për të avancuar në rrugën e saj të integrimit në BE.

Refuzimi i Spanjës për ta njohur Kosovën si shtet sovran, sipas nismëtarëve të këtij propozimi, lë të hapur mundësinë për destabilitet në rajonin e Ballkanit. Sipas këtij grupimi “nuk është e pranueshme që shteti spanjoll ndan të njëjtën strategji si Rusia, Kina apo Bjellorusia për refuzimin e njohjes së Kosovës”, veçanërisht kur “Spanja tashmë ka marrëdhënie indirekte me Kosovën” dhe që nga Janari i kaluarQeveria është detyruar të njohë pasaportat kosovare dhe të liberalizojë vizat për qëndrimin në zonën Shengen.

Spanja renditet në mesin e 5 vendeve anëtare të BE-së, krahas Greqisë, Qipros, Rumanisë dhe Sllovakisë që nuk e ka njohur deri më tani pavarësinë e Kosovës. Nëse kjo kërkesë e përfaqësuesve të Katalonjës do të marrë dritën jeshile, kjo do ta bëjë Spanjën vendin e 118 në botë që njeh Kosovën si shtet sovran.

Tv Klan