Lida Vllahu, një denoncuese nga Kavaja, thotë në emisionin “Stop” në Tv Klan se përfaqëson 4 familjet Vllahu që janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Ajo tregon se u sistemua te kunati meqë shtëpia i doli e pabanueshme me DS5 dhe u mor vendimi për prishje. 4 familjet u sistemuan diku tjetër derisa të ndërtoheshin banesat. Por prej 5 vjetësh nuk ka fonde as për ndërtim e as për qira.

Lida Vllahu: Kam shkuar te bashkia e Kavajës, 5 vjet me radhë. Javë për javë duke shkuar, ato më jepnin vetëm këtë përgjigje: “Ju mos bëni llafe. Ne shtëpinë do ta shembim,  por ju mos bëni llafe, mos u zini me ata të tjerët se ju po bëtë llafe nuk ua bëjmë shtëpinë hiç”. 5 vjet vetëm këto llafe më kanë thënë, që “nuk kanë ardhur fondet”. Kur do vijnë fondet? Kur t’i bjerë qeveria fondet.

Gazetarja: Kur t’ia bjerë mbarë qeverisë. Domethënë duhet të shpresojmë që një ditë qeveria të zgjohet me humor të mirë dhe të sjellë ndonjë fond, ndonjë lek.

Lida Vllahu: Po. Kur të më zërë mua përfund do i sjellë qeveria fonde.

Gazetarja: Çfarë kërkon?

Lida Vllahu: Kërkoj të më bëjnë shtëpinë. Ju lutem juve të “Stop”-it kërkoj të ma zgjidhni këtë problem se kam një hall të madh se po më  zë tërmeti përfund tjetri. Po ra tërmet tjetër, mua më keni të vdekur vetëm po deshën pastaj të më çojnë te varrezat.

Për këtë rast, “Stop” iu drejtua Drejtorisë Ligjore në bashkinë e Kavajës, ku drejtori Ardian Malaj thotë se për shtëpinë, ku jetonin 4 familjet u caktua një fond prej 120 milionë lekësh. Por miratimi i këtij fondi nuk ka ardhur. Përsa i takon bonusit të qirasë, në fillim trajtohej nga qeveria e më pas u kaloi bashkive, por sipas Malajt, këto të fundit nuk kanë një buxhet për bonus./tvklan.al