Dy persona u arrestuan pasdite në një operacion antidroge në Kamzë, të koduar me emrin Apollon, i cili çoi edhe në zbulimin e një baze ku përgatitej përzierja e lëndës narkotike. Gerion Grabovajt 22 vjeç dhe Arben Sulkës 42 vjeç ju gjetën 500 gramë heroinë, 2kg kanabis sativa, një pistoletë Zastava, 30 fishekë dhe një makinë tip Punto më targa të huaja.

Sipas policisë 2 trafikantët mbaheshin në vëzhgim prej kohësh, ndërsa në momentin e arrestimit kanë bërë rezistencë.

Laureta Totraku: “Operacioni u konkludua sot pas një pune disa javore duke përdorur metoda speciale të hetimit, këto shtetas u kapën në flagrancë gjatë shkëmbimit të lëndës narkotike në afërsi të vendit të quajtur kodër Kamzë. Të gjitha materialet hetimore në ngarkim të këtyre shtetasve i kanë kaluar për veprime të mëtejshme prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, si dhe kundërshtimit të punonjësit të policisë.”

Droga e sekuestruar sipas policisë ishte e destinuar për tregun vendas kryesisht në kryeqytet. Vetëm 2 ditë më parë po në Tiranë policia kreu një tjetër aksion të suksesshëm antidrogë teka prangosi 3 persona gjatë shkëmbimit të 1kg heroine pranë stadiumit “Qemal Stafa”. E njëjta sasi u kap në të njëjtën ditë në Vlorë ku u arrestuan 4 trafikantë./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle