Opozita raportoi sot një tjetër panoramë të situatës në vend në ndryshim nga deklaratat e kryeministrit Berisha një ditë më parë në prezantimin e punës së qeverisë në 7 muajt e parë të këtij viti. Partia Socialiste deklaroi se vendi është në nivelin e standardeve afrikane nga pikëpamja e sigurisë, cilësisë së jetës, apo teknologjisë së informacionit.

Përsa i takon kësaj të fundit nënsekretari Ervin Bushati, iu referua studimit mbi teknologjinë e informimit për vitin 2008. Në të Shqipëria renditet e 108 nga 127 vende që janë në listë, pas Tanzanisë, Nigerisë, Kenias dhe shumicës së vendeve të tjera afrikane.

PS dha garanci se programi i ri qeverisës i saj do të parashikojë infrastrukturë dhe teknologji informacioni tërësisht në shërbim të ekonomisë. LSI gjithashtu i cilësoi demagogji deklaratat e kryeministrit.

Petrit Vasili: “Ne jemi këtu për ti kujtuar Sali Berishës s duhet të gjejë një popull tjetër për ta mashtruar e tallur. Sepse shqiptarët  prisnin dje që kryeministri i tyre me kokë të ulur të kërkonte dorëheqjen sepse premtoi 6 mijë km rrugë dhe nuk mbylli asnjë segment rrugor, sepse premtoi drita dhe ujë 24 orë. Ndërsa Tiranë disa metra larg zyrës së tij dergjet pa ujë dhe në errësirë sepse qindra e mijëra pensionistë e buxhetor janë varfëruar ekstremalisht.”

Në një linjë me dy partitë në opozitë ka dalë dhe PSD nëpërmjet deputetes Diana Çuli. Socialdemokratët kanë akuzuar qeverinë dhe kryeministrin se kanë futur vendin në krizë. /tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi