Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Për herë të parë opozita i kundërvihet Presidentit të Republikës Moisiu, që nga zgjedhja e tij. Presidenti Alfred Moisiu ka thënë, se është ende shpejtë për të pranuar kërkesën e opozitës për një qeveri me bazë të gjerë dhe rrëzimin e kabinetit të kryeministrit Nano.

Presidenti Alfred Moisiu:- “Unë mendoj se është shpejt akoma të arrijmë në konkluzione të tilla radikale. Unë do të ndërhyjë sipas Kushtetutës”.

Vetëm 20 minuta më pas ka reaguar menjëherë nënkryetarja e PD Jozefina Topalli, e cila ka kundërshtuar deklaratën e kreut të shtetit. Topalli tha, se presidenti duhet të ndërhyjë pikërisht për zgjidhje radikale.

Jozefina Topalli:- “I bëj thirrje Presidentit të Republikës, të mos druhet, por të kërkojë zgjidhje dhe të kontribuojë pikërisht për një zgjidhje radikale. Opozita, Partia Demokratike, për opozitën në përgjithësi ka vetëm një qëllim, që vendit t’i japin një zgjidhje radikale, gjë që do të thotë rrëzimin e qeverisë Nano”.

Qëndrim të ngjashëm ka dhënë kryerepublikani Fatmir Mediu. Sipas tij, presidenti duhet të dëgjojë fillimisht partitë, të cilat e kanë zgjedhur dhe më pas të deklarohet.

Fatmir Mediu:- “Unë mendojë që Presidenti i Republikës, përpara se të refuzojë duhet të dëgjojë mendimet e partive politike. Mos harrojmë që është një president republike i zgjedhur me mbështetjen e të gjitha forcave politike, nuk është një president që është mandatuar thjesht nga mazhoranca socialiste, presidenti i republikës në qoftë se e shikon veten jashtë dhe larg forcave politik, propozimeve të tyre, për mendimin tim nuk arrin që ta gjykojë realitetin thjeshtë nga ajo që ndjejnë qytetarët shqiptarë, por nga ndjesitë e këshilltarëve dhe njerëzve afër qeverisë”.

Opozita thotë, se presidenti i ka të gjitha kompetencat kushtetuese për të ndikuar në rrëzimin e qeverisë./tvklan.al