Italia kërkon të forcojë pozitat e saj të favorshme në raportet politike dhe ekonomike me Shqipërinë. Këtij qëllimi i shërben ftesa e kryeministrit italian Masimo Dalema për kryeministrin Majko e realizuar sot. Për dy ditë me rradhë dy kryeministrat do të përcaktojnë pikat e bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy vendeve. Në prag të takimit të dy vendeve në Bari për të cilët do të vendoset për detajet teknike të financimeve të projekteve të zhvillimit të Ballkanit ku Shqipëria synon shumën prej 4.5 milionë dollarësh.

Investitorët italianë synojnë të administrojnë një pjesë të madhe të kësaj shume në projektet e infrastrukturës së rrugëve, energjitikës dhe telekomunikacioneve. Edhe përsa u përket prezencës ushtarake, italianët kanë kërkuar drejtimin e misionit të NATO-s , AFOR 2 në Shqipëri ku pjesa më e madhe do të jenë ushtarë italianë.

Një problem tjetër i rëndësishëm që ka mbetur pezull mes dy vendeve është parandalimi i trafikut të klandestinëve, drogës, armëve dhe trafiqeve të tjera ilegale drejt brigjeve italiane. Gjithashtu dhe hapja e konsullatave italiane për shqiptarët do të jetë një nga kërkesat Majkos për të frenuar këto probleme./tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame