Në rast se zgjedhjet presidenciale dhe lokale të 22 Marsit kalojnë në atmosferë të qetë dhe pa incidente komisioni evropian do të përgatisë raport pozitiv për Maqedoninë, në të cilën do të sugjerojë edhe datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kanë deklaruar për TV Klan burime nga kryesia e parlamentit të Maqedonisë. Në qoftë se zgjedhjet shkojnë si duhet raporti i komisionit evropian sivjet do të arrijë një muaj më herët, kurse si shpërblim plotësues në muajin Korrik do të bëhet liberalizimi i plotë i regjimit të vizave për qytetarët e Maqedonisë.

Të njëjtat premtime u janë dhënë edhe kryetarëve të partive kryesore politike në Maqedoni, megjithatë paralelisht me premtimet inkurajuese kanë arritur edhe paralajmërimet për pasojat negative që do të ketë Maqedonia në rast se përsëritet skenari i zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar.

Kjo do të thotë prolongim të fillimit të negociatave për anëtarësim dhe prolongim të liberalizimit të vizave deri në vitin 2011.

Isen Saliu: “Premtimi për raport pozitiv të komisionit evropian në vjeshtë dhe për liberalizim të plotë të regjimit të vizave në muajin Korrik është në vazhdën e përpjekjeve të faktorit ndërkombëtar për të siguruar zgjedhje të qeta më 22 Mars. Mobilizimi i këtillë i ndërkombëtarëve ka ardhur për shkak të përvojës së keqe nga zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar kur pati disa incidente të armatosura dhe një viktimë. Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu”./tvklan.alGazetar: Isen Saliu