Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pas dështimit në Parlament për ngritjen e komisionit hetimor ndaj kryebashkiakut të Tiranës Edi Rama, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të deputetëve, kryetari i grupit parlamentar të PS Gramoz Ruçi, i ka bërë thirrje deputetëve të mazhorancës të jenë të gjithë prezent në seancën e së enjtes.

Socialistët kanë rikonfirmuar edhe njëherë vullnetin e tyre, për të mos pranuar ngritjen e komisionit, por për ta realizuar këtë, duhen që në seancë të jenë të paktën 71 deputetë. Socialistët kanë analizuar mungesën e shumë deputetëve të mazhorancës, gjatë seancës së mbrëmshme dhe sipas zotit Ruçi, mungesat prej disa prej tyre kanë qenë të justifikueshme, pasi disa kanë qenë në shërbim.

Kreu i deputetëve socialistë, ka mohuar artikulimet e mediave sipas të cilave në sallë mungonin vetëm ata deputetë, të njohur si bashkëpuntorë të ngushtë me zëvendës kryeministrin Ilir Meta. Në faktë në seancë mungonte edhe vetë kryeministri Fatos Nano, i cili nuk ka qenë i pranishëm, gjatë gjithë seancës së pasdites.

Ndërkohë, pasi është sqaruar ky moment, disa prej deputetëve socialistë, kanë kritikuar ministrat e kabinetit qeveritarë, përse nuk morën fjalën asnjëherë për t’u mbrojtur nga akuzat e liderit të opozitës në adresë të tyre dhe të kryebashkiakut të Tiranës. Reflektimi i ministrave dhe deputetëve të mazhorancës, do të shihet në paraditen e së enjtes, ku në pikën e parë të rendit të ditës në parlament është votimi për ngritjen e komisionit hetimor. Nga të dhënat e deritanishme nëse opozita largohet sërish, mbetet ende në dilemë suksesi i këtij votimi./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço