Pak ditë pas debatit politik në lidhje me pronësinë e Damir Fazlliçit në zonën e Porto Romanos, kryeministri Berisha nga foltorja e parlamentit ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e opozitës, duke e ftuar këtë të fundit që të sjellë propozimet përkatëse në ligjin për shtetëzimin.

Sali Berisha: “Keni ngritur shpifje dhe trillimin se Fazlliç ka blerë tokë tek njollat e termocentraleve. Dhe unë kam këtu propozimin konkret, sillini në ua mban, ju jap fjalën e nderit se do të shtetëzojë çdo centimetër tokë në atë zonë. Unë jam kundër shtetëzimeve. Sillni ligjin në ua mban, po s’u lanë se jeni ju të përzier aty të gjithë. Jo, jo s’iu lan s’iu lan se ju jeni hajdutët e tokave që keni shitur aty. Bjerini tua faktoj unë ju. Kryeministri i këtij vendi deklaron, se në shpirt, në thelb është kundër çdo shtetëzimi, por do ta bëjë njëherë atë, vetëm njëherë dhe asnjëherë tjetër. Me kërkesë të opozitës shqiptare do të shtetëzoj çdo centimetër tokë në Porto Romano.”

Duke e ftuar sovranin të japë verdiktin e tij mbi këtë histori, kryeministri Berisha akuzoi opozitën si të përfshirë në klane mafioze, duke i kërkuar kësaj të fundit të mos e përdorë politikisht çështjen Fazlliç si atë Trebicka.

Sali Berisha: “Vazhdon opozita e boshit, e trillimeve dhe mashtrimeve. Opozita e kapur këmbë e krye nga klane të cilët kanë marrë goditje dhe janë të pashpresë. Por lidhur me të gjitha këto do të jetë sovrani, ai që do japë verdiktin, sepse siç do u japë verdiktin për Trebickën që e ekzekutuat për së vdekuri dhe s’ka ngelur një grimcë moral të kërkoni të folur. Përdhosni të vdekurit, profanoni dhe nuk kërkoni të falur, i përdorni të vdekurit për qëllime  makabre politike dhe nuk kërkoni të falur. I thërrisni qytetarët në pseudomitingje dhe nuk kërkoni të falur. Për të gjitha këto do flasë sovrani. Sovrani do flasë dhe do u japë tagrin ligjor dhe moral që meritoni./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro