Deputeti i komuniteti serb në parlamentin e Kosovës, Branislav Grbic, ishte pjesë e grupit të parlamentarëve kosovar që inspektuan punimet në segmentin Rrëshen-Kalimash. I impresionuar nga vëllimi i punimeve dhe projekti i kësaj rruge ai shprehet, se kjo vepër nuk do t’i shërbejë vetëm Shqipërisë e Kosovës, por të gjithë rajonit si një portë e re për në Adriatik.

Branislav Grbic: “Jam vërtetë i impresionuar nga puna në këtë kantier, është një objekt madhështor. Rruga nuk do të shërbejë vetëm për të lidhur Kosovën me Shqipërinë, por besoj se ky projekt do të vazhdojë edhe më tej, për të lidhur 2 popuj me rajonin dhe sigurisht për integrimin e mëtejshëm në Bashkësinë Europiane. Jam në profesion inxhinier dhe shoh një perspektivë të madhe zhvillimi. Të mirat që do sjellë kjo rrugë janë shumë më tepër se shpenzimet e ndërtimit të saj.”

Edhe deputetët e tjerë kosovarë pjesë të komisionit të integrimit, folën me superlativa mbi veprën më të madhe të infrastrukturës rrugore të vendit tonë.

Zylfie Hundozi: “Ne u impresionuam shumë dhe po na vjen mirë që shteti shqiptar definitivisht është duke e kryer rrugën. Kjo rrugë jo vetëm që ka për të ndihmuar zhvillimin ekonomik, shkëmbimin tregtar me Kosovën, por edhe me vendet në rajon.”

Gazetari: “Gjendemi këtu në hyrjen jugore të tunelit Rrëshen-Kalimash. Puna po avancon me ritme të larta paralelisht të dyja skajet e saj. Sipas drejtuesve të punimeve mësohet se çdo ditë ky tunel avancon me 5-6 metra.”

Nëse do të ecet me këto ritme 6 metra në ditë në të dyja drejtimet, tuneli me gjatësi prej 5.5 kilomterash, ndër më të mëdhenjtë në Ballkan do të përfundojë brenda afatit, në prill të vitit të ardhshëm.

Momentalisht në pjesën jugore shpimet kanë avancuar me 1.5 kilometra, ndërsa nga ana e Kukësit me 1.8. Krahas tunelit në autostradën Rrëshen-Kalimash 60 kilometra të gjatë, po ndërtohen plot 27 ura. Mbikëqyrësit e punimeve pohojnë se deri tani është kompletuar 65% e volumit të punës në strukturat e urave.

Për ndërtimin e autostradës Rrëshen-Kalimash, janë të punësuar 3500 vetë, 2000 nga të cilët janë shqiptarë. Çdo ditë në shpërthime për hapjen e tunelit apo rrugës përdoren 10 ton eksploziv./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro