Riformatimi i qeverisë mbetet një kërkesë konstante e një grupi deputetësh brenda selisë blu. Preç Zogaj dhe Edi Paloka mendojnë se rrotacioni në kabinetin qeveritar është i nevojshëm, jo vetëm për postet që mbajnë aleatët, por edhe vetë demokratët.

Edi Paloka: “Ndryshimet në qeveri duhet të vijnë sipas stadeve ku është qeverisja. Nuk mendoj se duhet të ketë thjesht ndryshim emrash në qeveri pasi nuk është kjo ristrukturimi i qeverisë. Por mbase edhe vetë struktura e qeverisë mund të ndryshojë.”

Preç Zogaj: “Duhen bërë disa ndryshime e kemi thënë disa herë dhe do fillojmë të mos e themi më tani, sepse ne i themi dhe nuk duam të mbajmë askënd nën presionin e opinioneve për ndryshime. Ne mendojmë se idetë që kemi shpalosur dhe jemi përpjekur dhe ti argumentojmë nuk kanë rënë në vesh të shurdhër. Por momenti nuk mund të jepet nga ne që jemi jashtë.”

Por Zogaj dhe Paloka ndajnë qëndrime të ndryshme në lidhje me ndarjen e posteve në ekzekutiv në parti të disa drejtueseve demokratë.

Preç Zogaj: “Unë nuk jam partizan i kësaj ndarje, nëse mendoj se politika është moment përgjegjësie dhe përgjegjësia politike buron nga votat nga lidhja me zgjedhësit.”

Sipas Palokës ka një hendek të madh që ndan qeverinë nga strukturat e partisë dhe që duhet të mbyllet.

Edi Paloka: “Nuk mendoj se strukturat e partisë sot janë në situatë shumë pozitive. Ka një mos komunikim do thoja midis strukturave dhe administratës shtetërore në përgjithësi. Gjë që për mua nëse nuk rregullohet me shpejtësi mund të ketë pasoja në zgjedhjet e ardhshme.”/tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka