Tre partitë më të mëdha në Spanjë, kundërshtare me njëra-tjetrën, ranë si rrallë herë në një mendje për t’u bërë bashkë kundër propozimit të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Socialistët në qeveri, Partia Popullore, më e madhja e opozitës dhe nacionalistët e Voxit, po në opozitë dolën kundër projekt/rezolutës së paraqitur nga partia separatiste e Katalonjës “Zhunts”, ku kërkohej që Spanja të njihte shtetin e pavarur të Kosovës.

Eduard Puzhol nga grupimi nismëtar i rezolutës akuzoi socialistët në qeveri në Spanjë për standard të dyfishtë, pasi vetëm pak javë më parë njohën shtetin palestinez, por refuzojnë të njohin Kosovën që ka përjetuar të njëjtat rrethana. Për më tepër tha ai, në Kosovë mbizotëron shteti ligjor dhe vendi është njohur nga Gjykata e Hagës. I të njëjtin mendim edhe Jon Injarritu nga partia e baskëve Bildu.

Plot ironi u shfaq në fjalimin e tij deputeti i nacionalistëve të Vox-it Karlos Flores Huberias. Duke hedhur poshtë argumentet se Kosova është njohur nga më tepër se gjysma e anëtarëve të OKB-së, Huberias tha se shumica e tyre janë vende aq të vogla sa nuk shihen as në hartë. Sipas tij, Spanjës i intereson të ketë marrëdhënie të mira me Serbinë.

Tv Klan