Janë shuar sot thirrjet optimiste të socialistëve për fitore në zgjedhjet lokale. Me tone të nxehta dhe autokritike, Komiteti i Përgjithshëm Drejtues ka komentuar se në këto zgjedhje rezultuan 32 mijë vota më pak për socialistët se në zgjedhjet e vitit 1997. Socialistët akuzojnë Partinë Socialdemokrate që mori në kurriz të tyre 58 mijë vota më shumë se në vitin 1997 dhe aleancistët morën 4000 vota më tepër se në zgjedhjet e vitit 1997.

Në Gramsh, Tepelenë, Pukë, Durrës, Kukës, socialsitët arritën rezultate më të dobëta se në vitin 1997. Në raportin e paraqitur nga sekretari i përgjithshëm Gramoz Ruçi, theksohet se vetëm 22 bashki socialiste kanë shumicën, ndërsa në 50 bashki të tjera u duhen votat e aleatëve në koalicion. Nëkryetari i Kuvedit Namik Dokle akuzoi PPDNJ dhe në veçanti Leonard Solis për sabotim të fushatës socialiste në Kukës. Në uljen e rezultateve të Partisë Socialiste në zgjedhjet lokale sipas krerëve socialistë ndikuan dhe përdorimi në mënyrë abuzive nga socialdemokratët të slloganit e majta për ju.

Konceptet e kryetarit Nano gjatë fushatës elektorale janë kritikuar nga deputeti Servet Pëllumbi. Shoqëria civile nuk janë njerëz të papërcaktuar politikisht tha Pëllumbi duke fajësuar strukturat e Partisë Socialiste për largimin e intelektualëve dhe anëtarësimet e pakta në parti. Pëllumbi mbështeti vazhdimësinë e koalicionit qeveritar. Kundër vazhdimësisë me koalicionin socialdemokrat ka qenë dhe deputeti Maqo Lakrori sipas së cilit aleatët kanë abuzuar me pushtetin që iu dha në vitin 1997./tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame