Lajme Arkiva – TV Klan 2003

E djathta është përfshirë nga negociatat e ethshme përpara përzgjedhjes të kandidaturave në zgjedhjet vendore. Një nga shefat e Partisë Bashkimi Liberal Demokrat Arjan Starova, u shpreh për TV Klan, se partia e tij do të bashkëpunojë me PD për zgjedhjet e ardhshme lokale, si dhe do të mjaftohet me kandidatë të përbashkët.

Arjan Starova:- “Jo zyrtarisht i kemi filluar, zyrtarisht presim ditët e ardhshme. Natyrisht ne kemi bindjen, po bindje që ka gjetur pasqyrimin e duhur tek Partia Demokratike, që të hyjmë në koalicion në këto zgjedhje. Nuk mendojmë që të kemi zona të lira, por mendojmë që kandidaturat tona të shpallen si kandidatura të përbashkëta”.

Ndërsa rebelët e koalicionit të djathtë, përkrahësit e mbretit megjithëse konfirmojnë fillimin e negociatave me Partinë Demokratike, shprehen me rezerva për nivelin e bashkëpunimit me partinë më të madhe të opozitës.

“Ne jemi në fazën e parë të realizimit të këtyre negociatave, pastaj për të konkluduar më tej, në varësi të ecurisë së negociatave”.

Aleancat e reja për zgjedhjet vendore vijnë pas kontestimeve të forta që partitë e vogla patën lidhur me kodin e ri zgjedhor./tvklan.al