Kalimi në Kuvend i projektligjit për hapjen e dosjeve ndaj ish-funksionareve të lartë të shtetit nga 29 nëntor i vitit ’44 deri me 8 dhjetor të 1990, për mazhorancën qeverisëse tashmë konsiderohet një çështje e mbyllur. Në një dalje për mediat Kreu i Grupit Parlamentar të selisë blu Astrit Patozi, konfirmojë votën pro të demokratëve për këtë nismë që pritet të marrë udhë në seancën plenare të së hënës edhe pse opozita mbetet e vendosur në qëndrimin e saj për të votuar kundër draftit Bumçi i cili u nënshtrua një sërë ndryshimeve në komisionin e ligjeve.

Duke folur për këtë çështje Patozi ju kundërpërgjigj dhe akuzave të kryesocialistit Rama, sipas të cilit ligji për pastërtinë e figurave synon shkarkimin nga detyra të disa prokurorëve dhe gjyqtarëve të përfshirë në një sërë çështjesh gjyqësore.

Astrit Patozi: “Një ligj që nuk kursen presidentin e republikës, kryeministrin, kryetarin e parlamentit, ministrat, deputetët dhe të gjitha nivelet më të larta të shtetit të administratës publike, sigurisht që nuk mund të jetë mëshirëmadh apo mëshirëplotë me një grusht xhelatësh dhe persekutorësh të ish-regjimit që mund të kenë mbetur të kacavjerrur nëpër institucioneve tona. Edi Rama dhe partia e tij po kërkojnë pa sukses që të bindin publikun se vetëm ata që janë zhytur deri në grykë me krimet e komunizmit, ata që janë përfshirë në procese të rënda politike dhe ata që kanë firmosur ekzekutimin madje dhe varjen e poetëve edhe në ditën e fundit të diktaturës dhe jo pjesa tjetër e shëndoshë kanë besimin e plotë dhe mbështetjen e tyre”.

Drafti për pastërtinë e figurave i cili mori vetëm votat e së djathtës në komisionin e ligjeve, duket se do të rikthejë sërish në llogoret e debatit maxhorancën dhe opozitën, dhe kësaj radhe ngërçi është pikërisht verifikimi që parashikon projektligji për ish-prokurorët dhe gjyqtarët e implikuar të asaj kohe tashmë ende në detyrë.

Në ndryshimet që ju bënë variantit Bumçi, ish-sekretarët e partisë së punës në rrethe, përjashtohen nga procesi i verifikimit, ndërsa parashikohet e drejta e çdo qytetari për tu njohur me dosjen e tij, por kjo të bëhet në mënyrë të tillë që të ruhet konfidencialiteti sipas modelit gjerman./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro

Operator: Metlin Kepi